University of Shkodra "Luigj Gurakuqi"
undefined
Mbi një truall të begatë e me tradita të shquara e të gjithanshme do të lindte më 2 shtator 1957 (me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 150, datë 18. 04. 1957) Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës (ILP), duke qenë e para shkollë e lartë në vend pas asaj të Tiranës, një nga institucionet më të rëndësishme të vendit dhe qendra më e madhe mësimore, kërkimore - shkencore dhe kulturore e Veriut të Shqipërisë.
USH ka kaluar nëpër disa etapa zhvillimi
*
Instituti Pedagogjik në periudhën 1957 - 1970 qe shkollë e lartë me afat studimi 2-vjeçar. Fillimisht pati dy degë: Gjuhë - Letërsi - Histori dhe Matematikë - Fizikë. Në vitin akademik 1962 - 1963 u hap edhe dega Biologji - Gjeografi, duke qenë kështu i vetmi institucion që përgatiste kuadrin mësues për arsimin 8 - vjeçar për gjithë Shqipërinë. Gjatë kësaj periudhe u diplomuan 4505 mësues në të dy sistemet (me dhe pa shkëputje nga puna).
*
Gjatë viteve 1970 - 1982 ai funksionoi si Institut i Lartë Pedagogjik me afat studimi 3-vjeçar. Pati katër degë : Gjuhë - Letërsi, Histori - Gjeografi, Matematikë - Fizikë dhe Biologji - Kimi. Në vitin 1981 hapet dega e Ciklit të Ulët (që përgatit mësues për shkollën fillore). Gjatë kësaj periudhe u përgatitën 3169 mësues për të dy sistemet.
*
Për 9 vite me radhë, 1982 /1983 - 1990/1991 vijoi të funksionojë si institut i lartë pëdagogjik me afat studimesh 4-vjeçar. Gjatë kësaj periudhe përgatiten 1912 mësues në të dy sistemet. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 124, datë 01. 04. 1989, ILP i Shkodrës merr emrin e atdhetarit dhe dijetarit të shquar Luigj Gurakuqi.
*
Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 124, datë 28. 05. 1991 Instituti i Lartë Pedagogjik ngrihet në nivelin e universitetit (Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi"). Nga ky vit e deri sot, gjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve jetë, ky Universitet njohu shndërrime e zhvillime të gjithanshme. Gjatë kësaj periudhe u hapën Fakulteti i Drejtësisë (1992), Fakulteti Ekonomik me tri degë ("Administrim - Biznes" - 1994, "Financë - Kontabilitet" - 2000, "Marketing - Turizëm" - 2001), Fakulteti i Gjuhëve të huaja me katër degë ("Anglistikë" - 1994, "Gjermanistikë" - 1996, "Italianistikë" - 1998 dhe "Gjuhë Frënge" - 2005). Hapen degët : "Cikli Parashkollor" (1996), "Infermieri e përgjithshme" (2001), "Informatikë" (2002), "Psikologji" (2004) "Punë sociale" (2005) "Edukim fizik dhe sporte" (2006), "Gazetari dhe komunikim" (2006) , "Mami" (2007) dhe "Fizioterapi" (2007), duke shkuar numri i degëve në 24. Gjatë këtyre viteve janë diplomuar 7434 studentë.
Gjatë viteve ILP ka pasur të shtrira thuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë qendrat e konsultimit dhe filialet e tij, duke luajtur kështu një rol të pazëvendësueshëm në konsolidimin e sistemit arsimor në Shqipëri. ILP - Shkodër ka pasur filialet e veta në Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Berat, Durrës, Fier, Vlorë dhe qendrat e konsultimit në Tiranë, Peshkopi dhe Sarandë. Mbi bazën e këtyre filialeve do të hapen edhe Instituti Pedagogjik i Gjirokastrës dhe ai i Elbasanit.
Pranë ILP - Shkodër që nga viti 1969 ka funksionuar filiali i Universitetit të Tiranës. Në këtë filial janë diplomuar 585 studentë në degët : "Veterinari", "Ekonomik - Kontabël", "Ekonomik - Plan", "Inxhinieri elektrike", "Inxhinieri mekanike" dhe "Inxhinieri ndërtimi".
Në jetën e tij mbi 50 vjeçare Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi" ka përgatitur 17 605 kuadro, të cilët shërbejnë në fusha të ndryshme të dijes e të shkencës, si dhe në organe qendrore drejtuese, duke dhënë kështu një kontribut të vyer në arsimin tonë kombëtar.
0 comments